15.11.2024
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me pjesëtarët e Njësisë së Inteligjencës Korrektuese, me ftesë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Byrosë Kundër-Terrorizmit të Departamentit të Shtetit (ICITAP), po marrin pjesë në Konferencën e vitit 2024 të Shoqatës Korrektuese Amerikane, e cila po zhvillohet në Nashville, Tenesi, SHBA.
Konferenca e Shoqatës Korrektuese Amerikane është një nga ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e menaxhimit dhe reformës së sistemit korrektues, ku mblidhen profesionistë nga mbarë bota për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në administrimin e burgjeve dhe trajtimin e të burgosurve.
Në këtë konferencë, z. Dibrani pritet të diskutojë për sfidat me të cilat përballet sistemi korrektues i Republikës së Kosovës, arritjet e SHKK-së në ndërtimin e kapaciteteve të reja me themelimin e njësive të reja, rezultatet e këtyre njësive, si dhe mundësitë për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe drejtësisë.
Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje të rëndësishme është dëshmi e angazhimit të Republikës së Kosovës për të ndjekur standardet më të larta ndërkombëtare në administrimin e drejtësisë dhe për të ndërtuar një sistem korrektues që promovon respektimin e të drejtave të njeriut dhe ri-integrimin e të burgosurve në shoqëri.