Në kuadër të bashkëpunimit me BONEVET Prishtina, sot ka nisur programi 4-mujor “Future Makers”, i dedikuar të rinjve të Qendrës Korrektuese dhe Edukuese për të Mitur.
Ky program përfaqëson një inovacion në qasjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës ndaj rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve, duke ndërthurur edukimin, zhvillimin e shkathtësive praktike dhe teknologjinë moderne me procesin e përgatitjes së tyre për një kthim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në shoqëri.
Gjatë programit, 10 të mitur do të zhvillojnë shkathtësi praktike në 3D Design & 3D Printing, Laser Cut dhe CNC, duke u njohur me teknologjitë bashkëkohore të dizajnit dhe prodhimit digjital. Përveç njohurive teknike, programi synon të nxisë kreativitetin, vetëbesimin, përgjegjësinë dhe orientimin drejt mundësive të reja për të ardhmen.
Investimi në aftësitë dhe potencialin e të rinjve gjatë qëndrimit në institucion është pjesë e një qasjeje rehabilituese që synon jo vetëm ndryshimin e sjelljes, por edhe krijimin e kushteve për një riintegrim të suksesshëm dhe një jetë produktive pas lirimit. Një kthim më i sigurt në komunitet kontribuon drejtpërdrejt edhe në parandalimin dhe uljen e recidivizmit, duke ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt për vetë të rinjtë dhe shoqërinë.
Programi realizohet në bashkëpunim me BONEVET Prishtina, me mbështetjen e Japan Tobacco International – JTI, duke sjellë mundësi të reja për edukim, zhvillim të shkathtësive dhe fuqizim të të rinjve.


