Në Akademinë e Kosovës për Siguri u mbajt sot Ceremonia Solemne e Diplomimit të Gjeneratës së 46-të të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku diplomuan 100 oficerë të rinj korrektues.
Ceremonia shënoi përfundimin me sukses të trajnimit profesional të kadetëve, të cilët tashmë i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe do të kontribuojnë në përmbushjen e misionit të institucionit për sigurinë, rendin dhe zbatimin e standardeve profesionale në institucionet korrektuese të vendit.
Fjalën hyrëse në këtë ceremoni e mbajti Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili uroi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit dhe theksoi rëndësinë e përgjegjësisë që mbart profesioni i oficerit korrektues.
“ Nga dita e sotme, ju do të jeni ata që do të garantoni sigurinë, rendin dhe disiplinën në institucionet korrektuese. Por puna juaj do të jetë shumë më tepër se kaq. Ne kemi një mision më të gjerë. Ne duhet të garantojmë sigurinë, por njëkohësisht të krijojmë mundësi për rehabilitim, riintegrim dhe ndryshim. Sepse për çdo person që hyn në një institucion korrektues duhet të ekzistojë mundësia që një ditë të kthehet në shoqëri si një njeri më i përgjegjshëm. Dhe në këtë proces, roli juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Dibrani.
Ai theksoi se siguria dhe respekti për dinjitetin njerëzor duhet të ecin gjithmonë bashkë.
“Ligji është udhërrëfyesi juaj. Profesionalizmi është forca juaj. Integriteti është mburoja juaj. Dhe respekti për njeriun duhet të jetë gjithmonë pjesë e mënyrës se si e ushtroni autoritetin tuaj”, u shpreh Dibrani.
Në ceremoni fjalë rasti mbajti Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili vlerësoi përfundimin e trajnimit të 100 kadetëve dhe rëndësinë e forcimit të kapaciteteve njerëzore të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Sot 100 të rinj e të reja po përmbyllin me sukses përgatitjen e tyre profesionale dhe po ecin me detyrën e re në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe, e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria. Kosova ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se gjatë tri viteve të fundit janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë korrektues, duke e cilësuar këtë si një investim të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore.
“Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil. Pas çdo rekrutimi qëndron një përgjegjësi, pas çdo uniforme qëndron një detyrë dhe pas çdo zyrtari qëndron besimi i qytetarëve dhe mbështetja e institucioneve”, u shpreh ai.
Kurti vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin dhe përfshirjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës është pjesë e organizatave ndërkombëtare si Organizata Evropiane e Shërbimeve Korrektuese, EUROPRIS, dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Korrektimit dhe Burgjeve, ICPA, dhe gjithnjë e më shumë po e fiton besimin e të gjithë partnerëve mbarë globit”, tha Kurti.
Fjalë rasti mbajti edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila vlerësoi përgatitjen profesionale të kadetëve dhe përgjegjësinë e veçantë që bart detyra e zyrtarit korrektues.
“Pas 23 javësh trajnimi profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, unë jam e bindur se ju jeni mëse të përgatitur për të shërbyer në një fushë ku përgjegjësia e shtetit është veçanërisht e madhe, sepse aty ku njeriut i kufizohet liria, aty shteti ka detyrimin jo vetëm të garantojë rendin e sigurinë, por edhe të sigurojë që ligji të zbatohet drejt dhe dinjiteti njerëzor të respektohet në çdo rrethanë”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se puna e zyrtarit korrektues kërkon një kombinim të disiplinës, vendosmërisë, maturisë dhe gjykimit të drejtë.
“Do të përballeni me situata të vështira, do t’ju duhet të merrni vendime nën presion dhe të ushtroni autoritet në rrethana në të cilat kufiri mes vendosmërisë dhe teprimit duhet të jetë gjithmonë i qartë. Pikërisht këtu do ta dëshmoni profesionalizmin tuaj”, u shpreh ministrja Gërvalla.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës është pjesë thelbësore e sistemit të drejtësisë, sepse drejtësia nuk përfundon me shqiptimin e një vendimi gjyqësor, ajo dëshmohet edhe në mënyrën se si zbatohet ai vendim”, përfundoi Gërvalla.
Në ceremoni fjalë rasti mbajti edhe U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Gjatë ceremonisë u vlerësua puna dhe angazhimi i kadetëve gjatë procesit të trajnimit, duke u theksuar rëndësia e profesionalizmit, integritetit, disiplinës dhe respektimit të të drejtave të njeriut në ushtrimin e detyrës së oficerit korrektues.
Diplomimi i 100 oficerëve të rinj përbën një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe njerëzore të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në ngritjen e mëtejshme të standardeve të sigurisë dhe menaxhimit në sistemin korrektues.
Me përfundimin e trajnimit, Gjenerata e 46-të e oficerëve korrektues nis një përgjegjësi të re profesionale, me misionin për të shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi ndaj institucionit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.






