Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me FINCA Kosovë, me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve edukative, profesionale dhe zhvillimore për të miturit dhe gratë që vuajnë dënimin në institucionet korrektuese.
Memorandumi synon të forcojë procesin e rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit të personave të privuar nga liria përmes programeve që zhvillojnë shkathtësi profesionale, sociale dhe ekonomike, duke rritur mundësitë e tyre për një integrim të suksesshëm në shoqëri pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të organizohen trajnime në fushën e perimtarisë dhe aktiviteteve të tjera bujqësore, programe për fuqizimin ekonomik të grave në bujqësi, edukim për marketingun dhe shitjen e produkteve përmes rrjeteve sociale, si dhe programe edukative për të miturit, përfshirë edukimin financiar dhe aktivitete të tjera zhvillimore. Gjithashtu, do të realizohen iniciativa të përbashkëta që mbështesin rehabilitimin dhe përgatitjen e pjesëmarrësve për riintegrim në shoqëri.
Aktivitetet do të zhvillohen në Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan dhe në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat e sigurisë së Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Memorandumi është nënshkruar për një periudhë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi, plotësimi ose ndryshimi me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.
