2787 - Lajmi_single | SHKK

LAJMET

06 February 2020 Shpërndaje:

Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, z. Thaçi së bashku me Ministren e Drejtësisë, znj Haxhiu vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prizren

 

Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Nehat Thaçi, së bashku me Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, vizituan Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Gjatë kësaj vizite, z. Thaçi e njoftoi për së afërmi ministren Haxhiu me stafin e qendrës, punën, të arriturat dhe sfidat e kësaj qendre.

Po ashtu, Ministrja Haxhiu është njoftuar edhe me kushtet e të burgosurve, kërkesat e tyre, ndërsa tha që është i domosdoshëm edhe hartimi i një Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

"Ne i kërkuam edhe stafit këtu që të na ofrojnë kërkesat që i kanë për Projektligjin për Sanksionet Penale dhe po ashtu adresuam nevojën për hartimin e Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës e që vendi nuk e ka", deklaroi ministrja Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vizitoi edhe dhomën A3 të pavijonit C, ku ka qëndruar në paraburgim tanimë i ndjeri Astrit Dehari.  

Ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë do të jetë në shërbim të kërkesave të  Prokurorisë Speciale për rastin Dehari.

"Vizita ime këtu, është mesazh i qartë për institucionet lidhur me përkushtimin tonë dhe nevojën që sa më parë të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Ai ka qenë në duar të shtetit ku fatkeqësisht shteti nuk e mbrojti", ka deklaruar ministrja Haxhiu.

Ndërsa në anë tjetër, z. Nehat Thaçi, falënderoi ministren Haxhiu për bashkëpunimin e ofruar dhe tha se SHKK –ja është e interesuar për zbardhjen e rastit Dehari, dhe çdoherë do të jetë e gatshme të bashkëpunoi me organet e drejtësisë  deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Në fund, Ministrja Haxhiu, e shoqëruar nga Drejtori Thaçi dhe Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Hamit Ademi  panë nga afër hapësirat e Q. P Prizren, kushtet dhe trajtimin e të burgosurve.

Kthehu tek lajmet