497 - Te Burgosurit | SHKK

Të Drejtat e të Burgosurve


Liritë dhe të drejtat e të burgosurve i garanton   akti me i Lartë Juridik “ KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS” në nenin 29,30,31,32,33 dhe 34, dhe LIGJI NR. 04/L-149 PËR EKZEKUTIMIN E SANKSIONEVE PENALE

Në mbështetje të Ligjit nr.04/L-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, neni 32, neni 62 paragrafi 6, neni 65 paragrafi 2, neni 66 paragrafi 3, neni 68, neni 90 paragrafi 1, neni 92 paragrafi 2, dhe nenit 204 është nxjerrë UDHËZIM ADMINISTRATIV MD-NR.07/2015 PËR RENDIN SHTËPIAK NË INSTITUCIONET KORREKTUESE që është dokumenti kryesor me të cilin parashihen të drejtat dhe obligimet e të burgosurve.

Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohet rendi shtëpiak, organizimi dhe mënyra e jetës së personave të dënuar dhe të paraburgosur, në institucionet korrektuese, në veçanti: pranimi dhe vendosja, njohja me rendin shtëpiak dhe me dispozitat e tjera, ushqimi, mbrojtja shëndetësore dhe zbatimi i masave higjienike, mënyra e plotësimit të nevojave fetare, korrespodenca, pranimi i vizitave dhe i paketave, llojet dhe sasitë e prodhimeve ushqimore të cilat mund të pranohen, kushtet dhe mënyra e qasjes  (disponimit) me të hollat e fituara si kompensim për punë dhe shpërblimet, mënyra e shfrytëzimit të pushimit vjetor, mbajtja e rendit dhe disiplinës, sistemi i shkeljeve disiplinore dhe të sanksioneve, kushtet dhe mënyra e aplikimit të masave disiplinore, masave të vetmisë, llojet e beneficioneve, të kushteve dhe mënyrës së shfrytëzimit të  gjitha beneficioneve, organizimi i aktiviteteve kulturore, arsimore, sportive dhe argëtuese, qëndrimi në hapësirë të hapur, lirimi dhe ndihma me rastin e lirimit nga mbajtja e dënimit me burg apo nga paraburgimi, vizitat, kalimi i kohës në lokale të veçanta, pranimi i pakove, paratë e të burgosurve pushimi për rastet e jashtëzakonshme, si dhe çështjet e tjera të cilat janë me rëndësi për kushtet dhe mënyrën e mbajtjes së masës së dënimit me burgim dhe paraburgim.

Dispozitat e këtij Udhëzimi zbatohen përshtatshmërish edhe ndaj të dënuarve dhe të paraburgosurve të mitur sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, si dhe ndaj personave të paraburgosur, sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse me ligj nuk është përcaktuar ndryshe.

Në veprimin me personat e dënuar dhe të paraburgosur zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të cilat rregullojnë çështjet e vendosjes, pranimit, ushqimit, mbrojtjes shëndetësore, përdorimit të mjeteve të detyrimit dhe kompensimet e dëmit të shkaktuar gjatë kohës së ekzekutimit të sanksionit penal, të paraburgimit ose të masave tjera.

Personat e dënuar dhe të paraburgosur janë të detyruar që t’iu përmbahen dispozitave të këtij Udhëzimi si dhe urdhrave dhe udhëzuesve të cilat nxirren nga drejtori i institucionit korrektues.

Burimet ligjore ndërkombëtare që garantojnë të drejta e të burgosurve janë :

Deklarata universale e të drejtave të njeriut e aprovuar nga Asambleja gjenerale e Kombeve të Bashkuara në New York më 10 dhjetor të 1948.

Rregullat evropiane mbi burgjet që janë ritheksuar në Rekomandimin R(2006)2 të Komitetit të Ministrave të Shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Konventa evropiane për mbrojtjen e të drejtave e të lirive themelore të njeriut, që është përpiluar në Romë më 4 nëntor të 1950 dhe ka hyrë në fuqi në Itali më 4 gusht 1955 L. 881

Zgjidhje e Rekomandime të Komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës shteteve anëtare të BE-së, si R(1999)22 lidhur me mbipopullimin, R(2006)13 mbi burgimin parandalues, R(2010)1 mbi lirimin me kusht, R(2012)12 mbi të burgosurit e huaj.

Standardet e Komitetit për parandalimin e Torturës e të ndëshkimeve e trajtimeve çnjerëzore e përçmuese (CPT) të publikuara në 2006 e që përmbajnë vërejtjet thelbësore e të përgjithshme të raporteve të këtij Komitetit (CPT).